Familja, njësia bazë e shoqërisë

Familja është rrjeti më i fuqishëm i marrëdhënieve njerëzore që mund t'u këshillohet njerëzve të zgjedhin. Ky rrjet është në gjendje të shërbejë si një mburojë duke mbuluar anëtarët e tij dhe ofruar atyre një strehë të sigurt.

Por, ky rrjet, nëpërmjet detyrimeve, kritikave, ndalimeve, është në gjendje edhe të të mbajë të mbërthyer në kthetrat e tij apo të të kufizojë mundësitë gjatë një jete të tërë.
Familja është një detyrë që zgjat tërë jetës dhe që kërkon shumë punë, përkushtim dhe sakrificë - diçka që shumë vetë shpesh e harrojnë. Fuqia e familjes është e madhe: asnjë nuk mundet të shkëputet prej saj. Ajo është si një rrjet i padukshëm në të cilin secili është i lidhur me fije të padukshme me secilin.

Bërthama e familjes përbëhet nga prindërit dhe fëmijët e tyre. Detyra e prindërve është që t'u mësojnë fëmijëve normat dhe vlerat bazë, t'i shkathtësojnë dhe t'u japin disa njohuri themelore.
Në familje p.sh. fëmijët duhet të mësojnë të falënderojnë për ushqimin, të kuptojnë se është e pahijshme të vjedhësh, të gënjesh dhe të zihesh me shokët e shoqet, duhet të mësojnë që të tregojnë kujdes për të tjerët, të bashkëpunojnë. Ata duhet të respektojnë të rriturit dhe njëkohësisht të kenë mendimet e tyre, në mënyrë që të bëhen të pavarur në jetë.
Familja është bashkësi primare njerëzore, ku individi së pari takohet me kushtet e jetës shoqërore, të cilat ia përcaktojnë atij kornizën, në të cilën ai mund të zhvillohet si person; kështu që mund të themi se personaliteti njerëzor formohet në procesin e ndërveprimit shoqëror.
Formimi i personalitetit "është proces kompleks i cili përfshin:
1. Kultivimin dhe zhvillimin e aftësive të konsiderueshme e që arrihet me mbartjen e elementeve thelbësore të kulturës te fëmija. Me anë të të mësuarit merren përvoja të shumta të një kulture të dhënë dhe individët aftësohen për t'u bërë pjesë e zhvillimit kulturor të shoqërisë.
2. Socializimin, si proces në të cilin fëmija përfshihet brenda rregullave shoqërore, përmes roleve dhe normave me të cilat mësohet socializimi, krijon njëkohësisht masa dhe kritere personale të sjelljes.
3. Individualizmin, si proces me ndihmën e të cilit zhvillohet sistemi i brendshëm i motivimit dhe kuadri orientues në përputhje me cilësitë personale të individit.
Fëmija nuk lind si njeri i formuar, por ai lind me predispozita që të bëhet njeri i formuar në kontekstin e ndërveprimit. Ai së pari e njeh familjen e vet dhe gradualisht bëhet personalitet gjatë ndërveprimit të ndërlikuar kulturor të jetës shoqërore. Duke qenë në kontakt direkt me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes individi gradualisht socializohet. Në familje ai mëson se si duhet të sillet brenda dhe jashtë saj.
Nga shfaqjet e tilla të para në botën e ‘ngushtë' (familje) dhe në botën e ‘gjerë' (shoqëri), varet se si do të formohet ai në përputhje me vlerat e bashkësisë së tij të ngushtë dhe të gjerë apo kundrejt tyre. E gjithë kjo ndodh në fëmijërinë e hershme, pastaj në periudhën e pubertetit - adoleshencës, duke vazhduar me periudhën kur individi bëhet person i rritur dhe kalon nëpër procese komplekse të pjekurisë gjatë formësimit të personalitetit të tij.
Shoqërizimi në familje ndodh kur fëmijët marrin kontakt të drejtpërdrejtë me ata që ndikojnë mbi ta. Ata imitojnë prindërit, motrat dhe vëllezërit të paktën në vitet e para të jetës së tyre. Prindërit kanë të drejtën e marrjes së shumë vendimeve për fëmijën deri në moshën 18 vjeç, por duke respektuar të drejtat e tij për t'u pyetur ose për t'i marrë pëlqimin. Këto të drejta përbëjnë autoritetin prindëror.
Ka shumë shkaqe që institucioni familje është tronditur sot. Ndryshimet e thella shoqërore që kanë ndodhur pas rënies së sistemit komunist kanë sjellë dhe ndryshime të modeleve të familjes dhe të rolit të saj.
Është rralluar në maksimum lidhja martesore me mblesëri, është zbehur dhe është shpërbërë familja patriarkale, me më shumë se një çift brenda.
Mënyra e rritjes (individët e rritur në mjedise të dhunshme vazhdojnë të përdorin dhunë), modelet e prindërve, pasiguria, lëkundja e vlerave dhe e normave, numri i madh i fëmijëve, bashkëjetesa në familje me disa kurora, ndërhyrja në jetën e çiftit, kufizimet në mundësitë për një jetë normale. Si mund të shpëtohet familja nga gërryerja strukturore dhe morale, nga "ndotjet" e shumta morale që e kanë kapur dhe po ia zbehin rolin shumë të rëndësishëm që ka në shoqëri?
Duhet bërë ajo që është në themel të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut- "...familja ka të drejtë të mbrohet nga shoqëria dhe nga shteti".


Cili është roli i gruas në familje

E imagjinoni dot një botë pa motra, pa nëna, pa gra?
Një nga problemet me të cilat përballen shoqëritë bashkëkohore sot është paqartësia mbi rolin e gruas dhe të burrit.
Gruaja ka rol shumë të rëndësishëm në zhvillimet dhe ndryshimet kulturore në një shoqëri, gjithashtu dhe ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe përparimin e gjinisë njerëzore sepse ajo ka kontakt shumë më të afërt me fëmijët.
Gruaja ka një rol të pazëvendësueshëm në procesin e kujdesit, ajo ka mandatin e të qenit nënë.
Të qenit nënë përcillet përmes shumë mënyrash tek brezat. P.sh. mënyra se si shoqëri të ndryshme socializojnë fëmijët vajza, bën që tek ato të lindin apo të shfaqen prirjet e roleve të tyre në të ardhmen si ‘përkujdesëse, mbështetëse', etj si këto. Përveç kësaj, lojërat e para që zënë fill qysh në fëmijërinë e hershme janë ato që kanë në bosht figurën dhe rolin e nënave. Të gjitha këto bëjnë që shumë fëmijë vajza ndërsa rriten, përgatiten për të qenë nëna dhe në disa raste ato bëhen vetëm nëna dhe nuk kanë asnjë qëllim tjetër në jetë. Qëllimi i tyre i vetëm në jetë është të realizojnë siç duhet rolin e tyre riprodhues, duke hequr dorë nga jeta profesionale apo sukseset në profesion e karrierë.


Pse duhet të luftojmë kundër trafikimit të grave dhe vajzave

Gratë dhe vajzat duhet të kenë mundësi të jetojnë të lira, të barabarta dhe të pavarura. Tranzicioni shqiptar, i gjatë dhe i vështirë, u përball me sfida shumë të mëdha dhe një ç'thurje të skajshme të një pjese të shoqërisë. Mosfunksionimi i shtetit ligjor ka bërë që të përhapet në mënyrë tragjike dhe shumë të dhimbshme fenomeni i pasurimit nëpërmjet trafikimit të femrave, fëmijëve dhe të drogës. Shpeshherë këto veprime janë shoqëruar me vrasje, duke u marrë jetën mjaft shqiptarëve dhe privuar nga gëzimi e lumturia fëmijët e gratë që detyrohen t'i nënshtrohen çdo lloj pune për të mbijetuar. Fatkeqësisht, Shqipëria, edhe pse ka një traditë të mirë e të lashtë të rregullave në komunitet për mbrojtjen e grave e të fëmijëve, është shfaqur si vendi i burimit të dhunës dhe i trafikimit të tyre. Këtyre grave iu premtohet një punë e paguar mirë në një vend tjetër. Sapo kalojnë kufirin, iu merret pasaporta dhe ato detyrohen të punojnë në shtëpi publike. Ato duhet të jetojnë dhe punojnë në kushte skllavërie, pasi kanë hyrë në borxhe te tutorët e tyre (tregtarët e grave), të cilët marrin përsipër transportin dhe shpenzimet e tjera. Damkosja nga shoqëria, dhuna dhe vendi i huaj e rrisin varësinë e viktimave. Preferenca tradicionale për djalin, nevoja apo mirëbesimi i çon prindërit në disa vende, t'ua shesin vajzat rrjeteve trafikuese. Shpesh ndodhin edhe rrëmbime të dhunshme të vajzave dhe grave.


Shkaqet e trafikimit me qenie njerëzore

Shkaqet e trafikimit janë të ndryshme dhe shpesh ndryshojnë prej një vendi në tjetrin. Në kërkim të një jete më të mirë diku jashtë, njerëzit që janë pa shpresë, pa kualifikimin e duhur, shpesh edhe me kualifikim por që nuk gjejnë punë, të detyruar të dalin jashtë janë të varur nga kriminelët të cilët potencialisht mund t'i shfrytëzojnë ata.
Janë disa shkaqe që mund të quhen edhe shkaqe rrënjë të trafikimit të qenieve njerëzore: varfëria ekonomike, konfliktet, krimi dhe dhuna sociale, fatkeqësitë apo katastrofat natyrore, dhe presione të tjera krijojnë situatë dëshpëruese për miliona njerëz të kësaj bote dhe i bëjnë ata të cenueshëm nga shumë forma të shfrytëzimit dhe skllavërimit. Ky diskriminim që ka për bazë gjininë i bën gratë dhe vajzat shumë më shumë të cenueshme nga trafikimi.
Kufijtë e brishtë, zyrtarë të korruptuar qeveritar, involvimi i organizatave apo rrjeteve kriminale ndërkombëtare, kapacitetet e kufizuara për të kontrolluar kufijtë, mungesa e legjislacionit adekuat dhe mungesa e vullnetit politik për ta zbatuar legjislacionin ekzistues dhe mandatin e tyre janë disa faktorë ndihmues që në fakt në mënyrë implicite e përkrahin dhe nuk e ndalojnë trafikimin e njerëzve.
1. Ekonomia në tranzicion
2. Migrimi.
3. Diskriminimi mbi baza gjinore
4. Zhvillimi i strategjisë: Rritja e industrisë argëtuese
Duke njohur faktin që roli i grave është esencial në proceset demokratike për reformimin, përtëritjen si dhe modernizimin e shoqërisë, është e domosdoshme që edhe kjo pjesë e shoqërisë të jetë më e involvuar në të gjitha fushat dhe nivelet e përfaqësimit. Në këtë mënyrë ne i japim kësaj pjese të shoqërisë shanse të barabarta, por njëherazi respektojmë realisht edhe të drejtat e tyre.
Për të realizuar këto synime sa ambicioze po aq edhe të domosdoshme për vetë vajzat dhe gratë, për familjen shqiptare, për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, kërkohet një angazhim dhe pjesëmarrje më e madhe e të gjithë aktorëve.
Por, mbi të gjitha, kjo përgjegjësi i obligon të gjitha institucionet shtetërore, publike e private për të zbatuar me drejtësi e seriozitet të gjitha kodet apo ligjet të cilat lidhen me respektimin e të drejtave të vajzave dhe grave në familje, në vendin e punës apo edhe në shoqëri.
Ndërsa në vendin e punës apo edhe në shoqëri të gjitha veprimet e mosveprimet janë më të dukshme dhe të prekshme, sepse zbatimi i ligjit varet thjesht nga vullneti pozitiv i drejtuesit apo zbatuesve të tij, pa neglizhuar aspak rolin e individit të cenuar, respektimi i të drejtave të vajzave dhe grave brenda familjes mbetet të jetë edhe më i vështirë.
Kjo e fundit, edhe për një arsye tjetër, sepse ndërsa për të parën janë rregulla unike dhe të njëjta për të gjitha, brenda familjeve të ndryshme funksionojnë rregulla të pashkruara, por që zbatohen duke u trashëguar brez pas brezi dhe që ndryshimet pozitive rezultojnë që të jenë shumë të ngadalshme.
Këto sjellje dhe qëndrime ndaj vajzave dhe grave, ndaj të drejtave të tyre janë të kondicionuara me një sërë faktorësh të lidhur me traditat historike-kulturore dhe social-ekonomike të trevave dhe familjeve po aq edhe nga mundësitë apo përpjekjet që ato vetë bëjnë në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit.
Megjithatë, si mundësitë ashtu edhe atributet sociale ndikojnë në krijimin e marrëdhënieve të ndërtuara gjatë procesit të socializimit, por edhe në këtë rast ato mund të orientohen dhe ndryshohen.
Nisur nga këto konstatime, institucionet relevante po bëjnë përpjekje serioze për të gjetur mekanizmat e duhur për të ndryshuar pikërisht këto qëndrime dhe sjellje, veçanërisht në familje ku është edhe më e vështirë.
Nuk mund të pretendosh që një vajzë apo një grua, e cila nuk ndihet e respektuar në të drejtat e saj, por edhe e barabartë dhe e vlerësuar në familje, të mund të arrijë t'i realizojë këto të drejta në shoqëri. Është kjo arsyeja që nga familje me tradita kulturore dhe demokratike të dalin vajza dhe gra që luftojnë për emancipim dhe zhvillim. Por kjo nuk do të thotë aspak që çdo vajzë ose grua, të mos përpiqet për të siguruar në çdo kohë apo rrethanë respektimin e të drejtave të saj, respektimin e kapacitetit dhe vlerave të saj si dhe barazinë ndaj çdo vendimi apo shansi të dhënë që ndikon në të ardhmen e saj. Këtë ajo duhet ta kërkojë e realizojë brenda familjes së saj, si bijë e më vonë si bashkëshorte apo nusja e birit të familjes.
Tashmë synojmë që edukimi në çështjet e përkatësisë gjinore të merret qysh në vitet e para të shkollës, pavarësisht edukimit që fëmija mund të ketë marrë në familje, veçanërisht në ato patriarkale ku edhe ndryshimi bëhet më i vështirë.
Duhet synuar që fusha e arsimit të kryejë një rol vendimtar në formimin arsimor dhe kulturor për të drejtat e barabarta të vajzave dhe djemve të cilët do të jenë të nesërmen burra dhe gra, nëna dhe baballarë që kontribuojnë për zhvillimin.
Arsimi njihet në mbarë botën si tregues i rëndësishëm i zhvillimit social dhe ekonomik të një shoqërie. Niveli arsimor është gjithashtu një tregues mjaft i rëndësishëm që flet për statusin e vajzave dhe grave në shoqërinë shqiptare. Të dhënat statistikore tregojnë se në Shqipëri, në të gjitha nivelet e arsimit vajzat janë më të suksesshme se djemtë. Janë të gjithë këta tregues pozitivë që ne duhet të na bëjnë më të përgjegjshëm dhe më realistë në vlerësimin e kapaciteteve dhe të potencialeve të vajzave dhe
grave në Shqipëri.
Argumenti universal se arsimimi i vajzave dhe grave redukton transmetimin e varfërisë nga brezi në brez dhe është shumë i rëndësishëm pasi ai rrit kapacitetin e tyre me qëllim socializimin e brezit të ardhshëm, si dhe rrit potencialet e tyre për të kontribuar në aspektet sociale, ekonomike dhe politike të zhvillimit kombëtar, është mjaft bindës.
Është i pakontestueshëm fakti që nëpërmjet arsimimit mund të minimizohen pabarazitë midis burrave dhe grave...



Marina Ndrio
DritaIslame